Maja e Rungajës, mbi Vithkuq e përballë Shtyllës duket sikur i thotë Ostrovicës “jam edhe unë”, por për ne ishte aventura e radhës, dhe na u duk e këndshme, në ngjitje dhe në zbritje, a ndoshta ishte grupi i mrekullueshëm që me humorin dhe kengët, përgjatë gjithë shtegut, e bënë të bukur këtë aventurë.
Pas një darke të ndezur nga këngët e vallet, në mëngjes, ngjitja nga Vithkuqi drejtë Majës së Rungajës dhe zbritja në Shtyllë, pothuaj ishte vazhdim i valles, i gjithë grupi kompakt, pa lodhje, pa pushime të zgjatura, me një distancë të përshkuar prej 15 km dhe disnivel rreth 900m ngjitje dhe 700m zbritje, për kohën rekord prej rreth 5 orë. E nisëm ditën me diell, në një terren të ngrirë, pjesërisht me borë të cekët, në mbyllje sa për kënaqësi shijuam edhe flokët e borës, që binin nga qielli gri si mijëra flutura të bardha.
Falenderimi është pak për ju miq që ishit pjesë e kësaj aventure të bukur.