Kuç – Gusmar – Rexhin – Nivicë

Kalimi Kuç – Gusmar – Rexhin – Nivicë, në një shteg të improvizuar, por të bukur, Natyrë e paqtë, shoqëruar nga vargmalet, me pyje e kullota, diku shikon reliket e një miniere të dikurshme fosfori, një rezervuar uji të pastër mali, disa tufa me rosa të egra që bënin ritualin në fluturim. Pak më tej, në lartësinë 1000m mbi nivelin e detit, shfaqet Gusmari, pastaj Rexhini e Nivica, të cilët dikur gumzhinin nga banorët e shumtë e tani të heshtur e të malluar për njerëz!😥

Diku një plantacion me mollë të harlisura, të lëna në mëshirën e fatit, që dukej sikur ftonin çdo kalimtar për të shijuar frutat bio te tyre!

Më tej shfaqen Kanionet e Nivicës me madhështinë e tyre, por që për fat të keq mungonte gurgullima e zhurmëshme e ujit, dhe ujvarat heshtnin, duke na përciell hijen e trishtimit përveç zhgënjimit.

Gjithsesi dje ne i shijuam të gjitha, ecjen, ngjitjen, pyllin, malin, kullotat, frutat e mollëve, arrave dhe gorricave, dhe në fund si për mbyllje një birrë apo lëng të ftohtë tek klubi modest i fshatit.

E gjithë ecja zgjati rreth 7 ore, distanca e përshkruar rreth 16 km, dhe disniveli rreth 700m ngjitje zbritje.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *