Kalimi Tragjas – Dukat Fshat, ditën e djeshme na lodhi pak, madje nuk harrojmë as “përkëdheljen” e shkurreve dhe ferrave, por më shumë na kënaqi me bukurit që pam e shijuam. Ndoqëm një shteg tradicional, por tashmë të braktisur, vizituam rrënojat e Tragjasit të Vjetër, fshat që të çudit me mënyrën se si ka qenë i ndërtuar e organizuar, ku çdo shtëpi është art më vete, me rrugë të shtruara me gur, të cilat të gjitha të çojnë në çezmën e fshatit, në hijen e rrepeve madhështor, aty ku mblidheshin burrat në kuvend, dhe grat mbushnin ujë në krua! Pastaj ndoqëm shtegun që të çon në Kalan e Sofës, veç pak rrënoja bien në sy, por pika dominuese që zotëron, tregon se çfarë rëndësie strategjike ka pasur për kohën. Më tej në një shteg fantastik, në pjesën më të madhe nën hijen e një pylli dushku, që të linte pa frymë me hijeshinë dhe madhështinë e tij, deri në Qafën e Gërxhinën, ku shfaqen pamjet e maleve përreth, Paliska, Qafa e Shën Gjergjit, Stogoi, Matua, Sqilloviku, që rrinë si kurorë mbi krye të Dukatit.
Distanca e përshkruar rreth 16 km, me një disnivel rreth 800m ngjitje dhe 600m zbritje, për kohën rreth 8 orë.